Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, përballet me një presion gjithmonë e më të madh për të dhënë një shpjegim të plotë rreth huasë së dyshimtë të marrë prej tij në blerjen e një shtëpie.
Gazeta më e madhe në vend, “Bild”, shkruante ditën e martë se aleati i ngushtë i Kancelares Angela Merkel ka kërcënuar të përditshmen me masa ligjore, nëse do të publikohen në shtyp detaje rreth kredisë së marrë.
Në një prononcim të mëparshëm, Wulff ka hedhur kategorikisht poshtë akuzat se ai ka mashtruar Bundestagun, në një hetim të mëparshëm.
Wulff mori huanë prej 500 mijë eurosh ndërsa ishte guvernator i shtetit federal të Saksonisë së Poshtme, nga gruaja e një biznesmeni të pasur.
Në shkurt 2010, kur ripagoi borxhin, ai u pyet nga Partia e Gjelbërt në opozitë në kishte patur marrëdhënie me sipërmarrësin e quajtur Egon Geerkans. Wulff mohoi atëherë një lidhje të tillë dhe një zëdhënës përsëriti të martën se e vërteta vazhdon të jetë e njëjtë.
Wulff dhe bashkëshortja e tij, Bettina, pranuan të merrnin huanë nga biznesmeni për të blerë një shtëpi, me kushtin që të rikthenin shumën deri në nëntor 2013. Siç zbuloi gazeta “Bild”, u ra dakord që të paguhej një interes prej 4%, disi më i ulët nga kreditë që ofrojnë bankat.
Në shkurt 2010, Wulff ktheu të gjithë shumën, duke bërë që të dyshohej për lidhje tregëtare midis tij dhe Geerkans, diçka e ndaluar me kushtetutë për çdo politikan.
Detyra e presidentit është ceremoniale në Gjermani, pasi i gjithë pushteti real është i përqendruar në duart e Kancelarit. Megjithatë, për të qenë President, nevojitet një “figurë morale shembullore”.
Wulff, një antar i Partisë Kristian-Demokrate të Angela Merkel, u caktua në rolin primar të shtetit në qershor 2010.
Top Channel