Nata e ndërrimit të viteve, dhe pikërisht momenti kur i tërë qyteti ishte përfshirë nga entuziami e padyshim edhe zhurma e shpërthimit të fishekzjarreve, u shfrytëzua për të shkatërruar bustin e Heroit të Popullit, Nazmi Rushiti, i vendosur në mes të një lulishteje të qytetit të Peshkopisë.
Askush nuk e pikasi dhe nuk dëgjoi zhurma në atë moment, ndaj dhe u desh dita e nesërme që banorët e zonës pranë të shikonin se busti që ndodhej në mes të lulishtes ishte shkatërruar.
Në vendngjarje mbërritën ekspertë të policisë të cilët informuan se shkatërrimi i bustit nuk ishte bërë me lëndë eksplozive, pasi shpërthimi do të kishte dëmtuar edhe banesat që ndodhen fare pranë lulishtes, por duhet të jetë bërë me mjete të forta apo vegla pune.
Dyshohet se prishja e këtij busti është bërë me qëllim hapjen e lulishtes për arsye ndërtimi dhe për të evituar reagimet e mëvonshme të banorëve të qytetit.
Top Channel