Pasaportat e vjetra, jashtë qarkullimit në mars

03/01/2012 00:00

Në fillim të pranverës së vitit që sapo hyri 2012 do të dalin jashtë
përdorimit pasaportat e vjetra, jobiometrike. Një gjë të tillë e ka
konfirmuar zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni.

Duke folur lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve me dokumentin e ri ndërkombëtar të identifikimit, Poni tha se deri tani janë pajisur me pasaporta biometrike rreth 2.2 milionë qytetarë shqiptarë. Mirëpo ende nuk dihet nëse do të ketë rimbursim të atyre që janë pajisur me pasaporta deri në mars të vitit 2009, kur edhe nisën pasaportat biometrike, kurse jozyrtarisht nga Ministria e Brendshme bëhet e ditur se nuk do të ketë asnjë zhdëmtim.
 
Në të vërtetë pjesa më e madhe e shqiptarëve u pajisën me ato që u quajtën sërish pasaportat e reja, nga viti 2000 e në vazhdim. Ende disa qindra mijë shqiptarë kanë në duar pasaportat jobiometrike të cilat kanë afate vlefshmërie për 5 deri 8 vjet të tjera dhe janë paguar 5 mijë lekë pa pagesat shtesë për dokumentacion.
 
Ndaj për qytetarët që fjala vjen janë pajisur në shkurt 2009 me pasaportë 10 vjeçare dhe askush nuk i tha se pak javë më vonë do të lindnin pasaportat biometrike që do t’i nxirrnin jashtë loje, kjo konsiderohet e padrejtë.
 
Disa njerëz besojnë se mënyra më e mirë do të ishte skadimi i pasaportës së tyre atëherë kur e ka afatin real të sanksionuar në pasaportën e lëshuar nga shteti dhe jo në mënyrë arbitrare nga i njëjti shtet dhe pa zhdëmtim.
 
Pasaporta është i vetmi dokument udhëtimi për të lëvizur jashtë territorit të Shqipërisë, që vërteton identitetin dhe shtetësinë shqiptare të mbajtësit të saj. Deri në Janar 2009, i vetmi dokument identifikimi, i cili lëshohej nga zyra e Shërbimit te Gjendjes Civile, ku është regjistruar shtetasi, ishte çertifikata e lindjes me fotografi.

Procesi i aplikimit për pasaporta biometrike filloi më 25 Mars 2009. Pasaporta e re biometrike, bazohet në teknologjinë me gdhendje lazer të personalizimit të faqes së të dhënave.

Top Channel