Kryeqyteti i Libisë, Tripoli, është shndërruar në arenë përleshjesh gjatë ditës së martë.
Sipas mediave ndërkombëtare, banorët kanë raportuar për të shtëna dhe të vrarë në rrugët e qytetit, por përmasat dhe shkaqet e dhunës nuk janë ende të qarta.
Të dhënat flasin për shpërthimin e betejës urbane kur një komandë policore u përpoq të merrte kontrollin e një kompleksi të përdorur nga shërbimet e fshehta në kohën e Gaddafit, diktatorit të ekzekutuar në tetor 2011.
Pavarësisht se lufta civile që shkaktoi mbi 30 mijë viktima është mbyllur prej disa muajsh, situata në vend vazhdon të jetë e tensionuar dhe ballafaqimet sporadike mbeten të shpeshta.
Më shqetësuese për autoritetet janë fiset tribale, që vazhdojnë të përleshen midis tyre në zona të ndryshme të vendit.
Top Channel