
Të vraposh në maratonën e Nju Jorkut këtë vit do të kushtojë më
shtrenjtë, pasi tarifat për të marrë pjesë do të ngjiten nga 24 në 39
për qind.
Rritja e cmimeve është e lidhur me kërkesat e Departamentit të Policisë së Mollës së Madhe, që për të rekuperuar kostot e punëve jashtë orarit dhe për të paguar agjentët që do të vendosen në qytet për të garantuar sigurinë e evenimentit, i ka kërkuar më shumë lekë organizatorëve.
Lajmin e bën të ditur “New York Times”. Anëtarët e maratonës së famshme do të paguajnë këtë vit 216 dollarë për të marrë pjesë, nga 156 dollarë që ishte vitin e kaluar.
Për banorët e Shteteve të Bashkuara që nuk janë anëtarë të New York Road Runner, regjistrimi do të jetë 255 dollarë, nga 196 dollarë që ishte një vit më parë.
Ndërsa për të huajt që do të pranohen në maratonë cmimi do të jetë edhe më i lartë, plot 347 dollarë nga 281 që ishte në vitin 2011.
Për të kompensuar rritjen e kostove, organizatorët e maratonës parashikojnë ta zgjerojnë atë duke pranuar një numër më të madh regjistrimesh, duke e dyfishuar në 15 mijë pjesëmarrës.
Regjistrimet për maratonën u hapën ditën e hënë, me organizatorët që nisën të pranonin kërkesat për llotarinë, që disave do t’u mundësojë pjesëmarrjen falas. Kërkesat kanë vërshuar menjëherë, duke arritur në 17.500 në pesë orët e para.
Top Channel