Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në radhët e NATO-s kanë vendosur
ta mbajnë të pandryshuar numrin e trupave të tyre në Kosovë, me qëllim
garantimin e sigurisë në vend.

Lajmin e bën të ditur “RTK”, që citon burime nga Uashingtoni, sipas të cilave një gjë e tillë është vendosur në takimet e fundit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s.

Sipas burimit, shkak për këtë vendim është bërë tensionimi i situatës në veri, para përshkallëzimit të të cilës Aleanca kishte menduar reduktimin e trupave të huaja me të paktën 2500 ushtarë.

Nga këta 750 janë ushtarë amerikanë që ndodhen në bazën Bondsteel. Pra, në këtë fazë nuk do të ketë tërheqje të njëanshme të trupave të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë deklaruar: Së bashku kemi hyrë, së bashku do të dalim”.

Gjithashtu, mbështetja amerikane për KFOR-in dhe në vecanti forcat amerikane në Kosovë u konfirmua nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së fundit në Evropë.

Të njëjtën gjë bëri edhe shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, gjenerali Craig McKinley, gjatë vizitës që zhvilloi në fund të tetorit në bazën Bondsteel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA