Kili, zjarri shkrumbon pyjet e vendit

03/01/2012 00:00

Zjarrëfikësit në Kili po përpiqen të frenojnë zjarret që kanë përfshirë
pyjet e vendit, të cilat kanë vrarë një person dhe shkatërruar 230
kilometra katrorë sipërfaqe në rajonet jugore dhe qendrore të vendit.

Një person 75-vjecar humbi jetën në Bio Bio pasi refuzoi të largohej nga shtëpia. Zjarrfikësit thanë se arritën të ndalonin përhapjen e katër nga gjashtë zjarret që kanë rënë në parkun kombëtar Torres del Paine.

Ndërkohë, një turist izraelit i ndaluar të shtunën ka mohuar akuzën për shkaktim të zjarrit për shkak të neglizhencës.

Presidenti Sebastian Pinera deklaroi se Kili ndodhej në një situatë jashtëzakonisht të cënueshme. Ai tha se të dielën shërbimet e emergjencës po luftonin me 48 vatra të ndryshme zjarri.

Presidenti shtoi se 130 kilometra katrorë janë djegur vetëm në parkun kombëtar Torres del Paine, në Patagonia. Megjithatë, disa pjesë të tij do të hapen sërish të mërkurën.

Ndërkohë, turisti izraelit i ndaluar vazhdon të mohojë akuzat. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 60 ditë burg dhe me një gjobë prej 300 dollarësh.

Presidenti Pinera ka propozuar rritjen e ndëshkimeve për këdo që shkakton zjarre, si qëllimisht ashtu edhe nga neglizhenca.

Top Channel