Izraeli dhe Palestina kthehen në bisedime

03/01/2012 08:40

Negociatorët izraelitë dhe palestinezë do të zhvillojnë të martën takimin e tyre të parë pas më shumë se një viti.

I dërguari i Izraelit, Yitzhak Molcho dhe ai i Palestinës, Saeb Erekat do të takohen në kryeqytetin jordanez të Amanit, ku të pranishëm do të jenë edhe negociatorë ndërkombëtarë.

Megjithatë, autoritetet e të dyja palëve kanë ulur mundësitë për një rifillim të mundshëm të bisedimeve për paqen.

Negociatat u bllokuan vonë në vitin 2010 pasi Izraeli refuzoi të ngrinte ndërtimet koloniale në Bregun Perëndimor.

Si autoritetet izraelite ashtu edhe ato palestineze nuk kanë bërë asgjë për të rritur pritshmëritë përpara takimit, raporton korrespondenti i BBC në Jeruzalem.

Sipas tij, prioritet i të dyja palëve do të jetë shmangia e fajësimit të njëra-tjetrës nëse procesi nuk do të mund të rifillojë.

“Përpjekjet e Jordanisë janë të minutës së fundit për të shpëtuar situatën”, deklaroi negociatori palestinez Saeb Erekat në një konferencë për shtyp në Ramallah.

“Ne shpresojmë që qeveria izraelite të veprojë në mënyrë reciproke me përpjekjet e Jordanisë për të ndalur aktivitetet ndërtuese dhe për të pranuar zgjidhjen me dy shtete”, shtoi ai.

Jordania po pret bisedimet si pjesë e tentativave për të rifilluar negociatat direkte për paqen mes palëve.

Izraelitët dhe palestinezët do të zhvillojnë një takim dypalësh, si dhe një takim me Katërshen për Lindjen e Mesme, e përbërë nga SHBA, BE, Rusia dhe OKB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA