Një taksë e re nga 80 deri në 200 euro. Kjo është dhurata e qeverisë italiane për të gjithë të huajt që jetojnë në Itali, e cila prek edhe shumë emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë përtej Adriatikut.
Të gjithë emigrantët, përvec shpenzimit që deri tani arrinte deri në 70 euro, do të duhet të derdhin edhe 80 deri në 200 euro shtesë për ripërtëritjen e lejeve të qendrimit.
80 euro është taksa që do të paguhet cdo vit për emigrantët që duan të ripërtërijnë lejet e tyre me 12 muaj të tjerë dhe 200 euro është për të gjithë ata që duan të ripërtërijnë lejet pa afat kohor.
Duke llogaritur që në Itali jetojnë rregullisht rreth 5 milion emigrantë, të cilët në mënyrë periodike do të përballen me këtë taksë, derdhjet në arkën e shtetit italian parashikohen të jenë mjaft të majme.
Ndaj rritjes së kostos së lejeve të qendrimit, nuk po përmirësohen në asnjë aspekt shërbimet që u ofrohen emigrantëve, të cilët në shumë raste duhet të presin edhe mbi 1 vit për marrjen e lejeqendrimit, ndryshe nga c’thuhet në ligj që parashikon vetëm 20 ditë kohë vonese, për të mos folur më pas për të drejtën e votës, gjë normale për një taksapagues por që vlen vetëm kur taksat i paguajnë vendasit. Ndryshe është për emigrantët taksapagues që duhet të mbajnë barrën e tyre në këto kohë krize.
Top Channel