Merr përmasa akoma më të frikshme skandali më i fundit në futbollin italian, ai i trukimit të ndeshjeve, ku sa më shumë gërmon prokuroria e Kremonës, aq më shumë shtohen të dyshuarit.
Në bazë të dëshmisë së dhënë më 27 dhjetor nga lojtari i Piacencës, Carlo Gervasoni, organet hetimore italiane po mundohen të identifikojnë dhe marrin në pyetje rreth 40 të dyshuar për përfshirje në bastvënien e paligjshme.
Të gjithë këta persona dyshohen se kanë luajtur rol, kush më aktiv e kush më pasiv në fiksimin e rezultatit në ndeshje të ndryshime të kampionatit italian, përfshirë edhe Serinë A.
Baza e rrjetit të basteve të paligjshme, sipas Gervasonit ishte në Singapor dhe bosi i këtij rrjeti, me anë të përfaqësuesve të tij, të shtrirë kryesisht në Europën Lindore dhe në Amerikën e Jugut, fiksonte ndeshje të kampionateve të ndryshime.
Organizata kontaktonte në mënyrë anonime lojtarë kycë të skuadrave përkatëse dhe nëpërmjet ofrimit të shumave të mëdha të parave dhe shantazhit i detyronte ata të fiksonin rrjedhën e takimeve.
Të paktën 10 janë takimet që dyshohen si të trukuara në kampionatet italiane, mes të cilave tre dyshohet se vijnë nga Seria A.
Top Channel