Ish-ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni ka deklaruar se bisedimet
teknike Kosovë-Serbi nuk kanë qenë të dobishme për Kosovën.

Në një prononcim për “REL”, Hyseni është shprehur se për shkak të dialogut Kosova ka humbur shumë në përpjekjet për njohje të reja të pavarësisë.

“Përfitimet nuk janë asgjë krahasuar me lëshimet që janë bërë. Unë kam frikë se Kosova do të detyrohet t’i kthehet riparimit të dëmit të shkaktuar nga këto lëshime”, ka pohuar Hyseni.

Sipas tij, marrëveshjet e arritura janë improvizime, ose zgjidhje gjysmake, të cilat zakonisht sjellin probleme më të mëdha sesa ato që kanë ekzistuar.

“Asnjë dobi nuk ka sjellë ky dialog. Konkluzionet e arritura në të nuk janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk kanë asnjë mekanizëm që të garantojë zbatimin e tyre”, ka nënvizuar Hyseni.

Në kuadër të bisedimeve, në fund të dhjetorit mes Kosovës dhe Serbisë nisi zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, me përjashtim të veriut të Kosovës.

Por marrëveshja në fjalë konsiderohet nga qytetarët e dy vendeve si më e dëmshmja për ta, për shkak të kostos së saj, si pasojë e taksave.

Marrëveshja në fjalë u kritikua edhe nga partitë e opozitës. Përfaqësues të lëvizjes Vetëvendosje e cilësuan atë si një marrëveshje nënshtrimi.

“Marrëveshjet në formë konkluzionesh nga negociatat e qeverisë së Kosovës me Serbinë po përkufizojnë një marrëdhënie të vecantë mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse është e vecantë, kjo është një marrëdhënie nënshrtrimi dhe jo barazie”, deklaroi kreu i grupit parlamentar Visar Ymeri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA