Greqia mund të përjashtohet nga Eurozona dhe të lihet e vetme të përballojë krizat e saj, nëse nuk do të plotësojë kushtet për marrjen e këstit të ri të kredisë nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe bankat private, paralajmëroi një zëdhënës qeveritar.
Deklarata erdhi vetëm disa orë pasi një përfaqësues i lartë i Bashkimit Europian përjashtoi mundësinë që të ketë përjashtime nga zona e monedhës së përbashkët euro.
”Marrëveshja për shpëtimin e ekonomisë dhe për kredinë madhore duhet të nënshkruhet, ndryshe do të përjashtohemi nga tregu i përbashkët dhe monedha euro”, deklaroi Pantelis Kapsis, në një televizion grek.
Autoritetet janë duke ndeshur vështirësi në zbatimin e planit të shkurtimit të investimeve, i cili dëmton dukshëm shumë grupe të interesit. Sipas analistëve, një paralajmërim i tillë ka patur si qëllim vetëm të krijojë më shumë mbështetje për planin qeveritar.
Kryeministri i Greqisë, ish-guvernatori i Bankës Qëndore, Lukas Papadhimos, do t’i adresohet kombit më vonë gjatë ditës për t’i ndërgjegjësuar për nevojën e reduktimit të investimeve shtetërore dhe të shkurtimeve të tjera që janë planifikuar.
Një hua madhore prej 130 miliardë eurosh u miratua në princip për Greqinë nga drejtuesit e BE-së në tetor, por shuma e parave aq e nevojshme për ekonominë helene do të lëvrohet vetëm nëse zbatohen hapat e duhura për të shkurtuar defiçitin dhe për të ristruktuar ekonominë.
Ditën e hënë, mjekët dhe farmacistët u shndërruan në të parët grevistë të vitit 2012. Ata janë kundër reduktimit drastic të subvencioneve dhe investimeve të tjera në sektorin e shëndetësisë.
Top Channel