Papunësia në Gjermania regjistroi shkallën e saj më të ulët që prej dhjetorit të vitit 1991, lajmëroi Agjensia Federale Gjermane e Punësimit.
Niveli i papunësisë ra në 6,8% në dhjetor 2011, 0,1% më pak se muaji paraardhës. Ky është parametri më i mirë i papunësisë që prej bashkimit të Gjermanisë dhe fillimit të studimit të tregut të përbashkët, në vitin 1991.
Në total, numri i personave të papunë dhe që janë në kërkim të një të tille është reduktuar në pak më shumë se 2,8 milion banorë. Një lajm i tillë i mirë pati një impakt të menjëhershëm në bursën gjermane, me “Dax” që u rrit me 1% gjatë së martës.
Viti 2011 nisi me një normë papunësie më të lartë se 7%, por ajo pësoi një reduktim të vazhdueshëm gjatë vitit. Që prej rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, papunësia në Gjermani ishte luhatur në normën 7-12%.
Rritja e vazhdueshme e sektorit industrial në zonat që dikur i përkisnin Gjermanisë Lindore ka patur një impakt të dukshëm në tregun e punës, pasi në këto zona ka qenë më i lartë edhe numri i papunësisë.
Kryeqendra të dikurshme lindore si Laipcigu, edhe për shkak të krahut më të lirë të punës në krahasim me qendra të tjera gjermane, kanë tërhequr shumë industri të rëndësishme.
Në këtë përmirësim të nivelit të papunësisë në ekonominë më të madhe europiane kanë kontribuar edhe disa marrëveshje tregëtare me Kinën, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e ndjeshme të eksporteve gjermane në superfuqinë aziatike.
Top Channel