Francë, gjenden 20 kg ar të braktisur në tren

03/01/2012 00:00

Një valixhe me 20 kilogramë ar është gjetur e braktisur në një tren që
kishte ndaluar në një stacion hekurudhor në afërsi të Parisit, në
Francë.

Skuadra e ekspertëve të eksplozivit u thirr nga një punonjës i hekurudhës që gjeti valixhen, e cila iu duk e dyshimtë.

Por pas kontrolleve, specialistët zbuluan se valixhia mbante 20 kallëpe ari, me një vlerë prej 800 mijë eurosh nëse konfirmohet që është ar i pastër.

Policia franceze është vënë në kërkim të personit që e ka braktisur atë. Duke qenë se kallëpet nuk kanë vulë zyrtare, autoritetet mendojnë se ato mund të jenë bërë me ar të shkrirë.

Hetuesit besojnë se pronari i valixhes e ka lënë atë në tren vullnetarisht, nga frika e kontrolleve të policisë dhe ka pak gjasa që ai të kthehet ta kërkojë.

Aktualisht ata po kontrollojnë kamerat me qark të shkurtër të të gjitha stacioneve ku ka ndaluar treni, që nisi udhëtimin e tij të enjten në Roisi.

Nëse ari do të mbetet i padeklaruar, atëherë nuk dihet se kush do ta përfitojë atë. Nëse cështja konsiderohet si “thesar”, atëherë ari do të ndahet mes Operatorit të Transportit të Parisit dhe punonjësit që gjeti valixhen. Por nëse klasifikohet si “objekt i gjetur” ai do të vuloset dhe do të mbyllet në kasafortat e shtetit.

Top Channel