Agjensia Bërthamore Franceze kërkoi vendosjen e parametrave shtesë, për të rritur sigurinë në 58 reaktorët që funksionojnë në vendin më të varur nga energjia bërthamore në Bashkimin Europian.
Kërkesa për rregulla më strikte vjen në vazhdën e ndërgjegjësimit për rrezikshmërinë e kësaj forme të energjisë, pas katastrofës së ndodhur pothuajse dhjetë muaj më parë në Fukushima, Japoni.
Sipas Agjensisë, ndryshimet do t’i kushtojnë arkës së shtetit disa dhjetëra miliarda euro. Franca siguron 75% të energjisë së saj nga energjia nukleare, por varësia prej saj është bërë një temë e nxehtë politike së fundmi.
Socialistët në opozitë kanë premtuar mbylljen e të paktën 24 reaktorëve, nëse do të fitojnë në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen më pas gjatë vitit, në të cilat, kandidati i tyre Hollande do të sfidojë Presidentin në fuqi, Nicolas Sarkozy.
Në bazë të rregullores së re të propozuar, operatorët e reaktorëve duhet të marrin masa të qarta për të siguruar garanci të plotë në rastin e fatkeqësive natyrore si përmbytje e tërmete.
Gjithashtu, është propozuar që deri në vitin 2014 të ngrihet një lloj “grupi i gatshëm bërthamor”, i cili do të jetë në dispozion të ndërhyrjes në çfarë do situate potencialisht të rrezikshme bërthamore.
Top Channel