Votuesit egjiptianë po marrin pjesë në raundin e tretë dhe të fundit të zgjedhjeve për dhomën e ulët të parlamentit.
Shumë qytetarë po drejtohen për në qendrat e votimit në nëntë provinca të vendit, përfshirë Deltën e Nilit, jugun dhe resortin turistik të Sinait të Jugut. Votimet pritet të zgjasin disa ditë.
Zgjedhjet komplekse parlamentare po zhvillohen në tre faza në një periudhë kohore prej tre muajsh. Islamikët pritet të dominojnë procesin e parë demokratik në 60 vjet. Të martën dhe të mërkurën pritet të votojnë 15 milionë egjiptianë.
Këshilli Suprem i Egjiptit, i drejtuar nga forcat e armatosura që morën kontrollin e vendit pas rënies së Mubarak, i konsideron zgjedhjet si një provë e planit të tij për të dorëzuar pushtetin tek qeveria civile.
Por raundi i tretë zhvillohet vetëm disa ditë pasi autoritetet bastisën zyrat e disa organizatave joqeveritare në kryeqytetin Kajro.
Grupe të ndryshme të financuara nga SHBA që kërkojnë të promovojnë demokracinë dhe pjesëmarrjen në politikë ishin mes OJQ-ve të sulmuara, me kompjuterët dhe dokumentat që u janë konfiskuar dhe punonjësit që janë marrë në pyetje.
Qeveria e përkohshme deklaroi se bastisjet ishin pjesë e një hetimi për financime ilegale të partive politike. Por operacionet janë dënuar nga Kombet e Bashkuara, SHBA dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Instituti Ndërkombëtar Republikan, i financuar nga amerikanët dhe një nga grupet që u kontrolluan, ka deklaruar se është ftuar të monitorojë zgjedhjet.
Top Channel