
Duket si një roman i Agatha Christie, ose si një aventurë e detektivit Sherlock Holmes, por këtë herë është e vërtetë.
Një hetim për vrasje ka nisur pasi mbetjet trupore të një njeriu u gjetën në pronën e mbretëreshës së Britanisë, Sandringham Estate, në Norfolk.
Kryeinspektori Jes Fry, nga policia e Norfolkut, deklaroi se detektivët po ekzaminojnë cështje të vjetra të ndodhura në mbarë vendin për të verifikuar nëse mund të ketë një lidhje.
Policia ka konfirmuar ndërkohë se mbetjet trupore janë të një gruaje. Një punonjës publik zbuloi trupin në Anmer, në afërsi të King’s Lynn, ditën e ndërrimit të viteve.
Zona e krimit është rrethuar nga shiritat e policisë dhe agjentët e policisë shkencore po kryejnë ekzaminime në të, njësoj si në serialin e njohur “CSI”.
“Ne jemi ende në fazat fillestare të hetimit, i cili mund të jetë shumë kompleks. Trupi ka qenë aty prej kohësh”, deklaroi kryeinspektori Fry.
“Rrethanat sugjerojnë se kjo është një cështje vrasjeje dhe ne po shohim listën e personave të zhdukur dhe cështjet e vjetra, të dyja në nivel lokal dhe kombëtar”, shtoi zyrtari i policisë.
Zona është rreth tre milje nga Sandringham House në pronën prej 8 mijë hektarësh, që i përket familjes mbretërore.
Top Channel