Kevin-Prince Boateng mendon se Milani do të luftojë me Juventusin për të fituar titullin kampion në Serinë A. Gjithsesi, mesfushori ganez e shikon ekipin e tij si favorit në kampionatin italian.
“Do të jetë një luftë mes nesh dhe Juventusit. Bardhezinjtë luajnë mirë dhe janë një skuadër e madhe, por viti 2012 do të jetë viti i Milanit”, është shprehur Boateng.
Kuqezinjtë, të cilët po zhvillojnë një minifazë përgatitore në Dubai, do të rinisin kampionatin me sfidën ndaj Atalantës (8 janar), por tifozët kanë filluar të mendojnë për derbin ndaj Interit që do të luhet në më pak se dy javë.
“Do të jetë një ndeshje e madhe ndaj Interit dhe do të jetë e rëndësishme të fitojmë. Nëse shënoj, edhe më mirë”, thekson ganezi.
Përsa i përket objektivave sezonalë, Boateng tha: “Është e rëndësishme të fitosh kampionatin sepse për të punon çdo ditë në stërvitje. Në Ligën e Kampioneve do të ndeshemi me Arsenalin që është një ekip i madh, por ka shumë të rinj që nuk kanë eksperiencë dhe ky mund të jetë avantazhi i Milanit.”
Top Channel