Pas përfundimit të festimeve për hyrjen e vitit 2012, zyrtarët e Bashkimit Europian u kthehen axhendave të tyre, ku kryesorja edhe për këtë vit duket se do të jetë sërish kriza financiare e eurozonës, e sidomos  ajo greke.

Komisioni i BE-së, kur duhen edhe pak ditë nga takimi mes Eurogrupit, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe autoriteteve greke, ka përjashtuar mundësinë e braktisjes së monedhës së përbashkët nga ana e Greqisë.

“Nuk ekziston asnjë plan që merr në konsideratë braktisjen e monedhës euro nga ndonjë shtet anëtar i saj”, thuhet në një deklaratë të Komisionit.

Më tej në deklaratë njoftohet rinisja e bisedimeve për mundësinë e dhënies së një pakoje të dytë ndihmash financiare për Greqinë.

“Këtë muaj do të nisin bisedimet mes Fondit Monetar Ndërkombëtar, Eurogrupit dhe autoriteteve greke ku do të flitet për një paketë të dytë ndihmash financiare për Greqinë. Ne shpresojmë që këto bisedime të mbyllen sa më shpejt që të jetë e mundur me një rezultat pozitiv”, thuhet më tej ng BE.

Bisedimet për marrjen e një tjetër pakoje me ndihma financiare prej Athinës nga Eurogrupi dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, morën dritën jeshile që pas Samitit të Brukeslit të mbajtur në ditët e para të dhjetorit të 2011-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA