
Policia e Los Anxheles ka arrestuar një 24-vjeçar, i cili dyshohet të
jetë piromani që ka tmerruar qytetin gjatë ditëve të fundit duke ndezur
shtëpi dhe makina në flakë.
Herri Burkhart akuzohet zyrtarisht për djegien e një shtëpie të pabanuar, por pritet që akuza të tjera t’i shtohen, ndërsa hetimet e policisë zbardhin krimet e të riut.
Hetuesit thanë se gjatë 5 ditëve të fundit në Los Anxheles pati 52 raste zjarri në makina apo ndërtesa, por as edhe një rast që kur 24 vjecari Burkhart u arrestua. Askush nuk u vra apo plagos gjatë zjarreve në Los Anxheles, por sidoqoftë autoritetet kanë premtuar ndëshkim maksimal për fajtorin, që ka rrezikuar jetën e mijëra njerëzve.
Policia gjithashtu bëri me dije se Burkhart u arrestua pasi makina e tij ishte parë në disa prej skenave të krimeve duke ngjallur jo pak dyshime. Hetuesit amerikanë shpresojnë që ai të ketë vepruar vetëm, siç ndodh në rastet e piromanëve, por hetimet vazhdojnë për t’u siguruar se Burkhart nuk bën pjesë në ndonjë grup.
Top Channel