Çmimi i naftës mund të preke rekorde të reja

03/01/2012 20:15

Çmimi i naftës është në rritje në ditët e para të vitit 2012, si rrjedhojë e optimizmit për një rikuperim të mundshëm ekonomik dhe për shkak të tensionit në Lindjen e Mesme.

Në bursat europiane, një fuçi naftë u shit me 110,91 dollarë, një rritje prej 3,53 dollarë vetëm brenda ditës, ndërsa në bursat amerikane, rritja ishte prej 3,34$, duke shkuar në 102,17$.

Rezultatet më të mira ekonomike se parashikimet në SHBA, Kinë, Indi dhe në disa shtete të Eurozonës kanë rikthyer shpresat për mundësinë e një rikuperimi të pjesshëm të ekonomisë botërore.

Sipas ekspertëve, përsa kohë do të vazhdojnë tensioned midis SHBA-së dhe Iranit, ka shumë gjasa që çmimi i karburanteve të vazhdojë të rritet.

Irani ka kërcënuar se do të mbyllë ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon 15% e eksporteve botërore të naftës, nëse presioni mbi vendin do të vazhdojë. Një eventualitet i tillë do të ishte katastrofik për tregjet, pasi do të shkaktonte një rritje rekord të çmimeve.

Gjithashtu, në shtrenjtimin e çmimit të naftës ka ndikuar së fundmi edhe trendi i forcimit të dollarit amerikan. Me shqetësim shihet rritja e çmimit edhe në vendin tonë, ku ditën e martë, si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm dhe taksave të reja në vend, karburantet kapën vlerën deri 186 lekë për litër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA