Kryeministri i Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi vazhdoi turin e tij në Turqi me vizitën në një anije ndihmash, e sulmuar nga trupat izraelite në vitin 2010.
Ismail Haniya kreu këtë vizitë për të nderuar nëntë aktivistë të vrarë gjatë sulmit të ndodhur në det të hapur. Vizita ishte veçanërisht e rëndësishme jo vetëm përsa i përket domethënies së saj, por sepse ishte hera e parë që Haniya dilte nga vendi që prej marrjes së pushtetit mbi Gazën në vitin 2007.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit kanë qenë shumë të tensionuara që prej sulmit në fjalë, pasi anija e sulmuar mbante flamur turk. Megjithatë, Tel Avivi ka refuzuar që të kërkojë falje, duke argumentuar se ishte duke vepruar për vetmbrojtje.
“Në emër të martirëve të popullit tonë dhe të familjes së tyre, përshëndes martirët e anijes së lirisë, Marmarësë”, u shpreh Haniya përpara anijes së ankoruar. “Dhe duam t’iu themi se gjaku juaj është edhe i yni. Gjaku i martirëve nuk njeh kombësi”.
Kryeministri i krahinës së vetadministruar u shpreh se shumë çështje në lidhje me situatën palestineze u biseduan në takimin me Krtyeministrin e Turqisë, Erdogan, gjatë së dielës. Turqia ka këmbëngulur gjithmonë se çdo marrëveshje për krahinën duhet të përfshijë edhe Hamasin, por në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje grupit të armatosur që të heqë dorë nga dhuna.
Shteti i Izraelit e konsideron Hamasin si një organizatë terroriste dhe refuzon që të hyjë në bisedime me të.
Top Channel