Siria, komiteti arab: Të tërhiqen vëzhguesit

02/01/2012 10:25

Një grup këshilltarësh të Ligës Arabe kanë bërë thirrje që vëzhguesit e organizatës të tërhiqen nga Siria për shkak të dhunës qeveritare ndaj protestuesve.

Kryetari i Parlamentit arab deklaroi se monitoruesit duhet të largohen, duke pasur parasysh vrasjen e vazhdueshme të civilëve të pafajshëm nga regjimi sirian.

Nuk ka pasur asnjë ndryshim në reagimet e qeverisë ndaj protestuesve që kur vëzhguesit nisën punën të martën e kaluar. Misioni i tyre është të monitorojnë planin e paqes të hartuar nga Liga Arabe.

Kryeparlamentari Salem al-Diqbassi tha në një deklaratë se represioni i vazhdueshëm në prani të monitoruesve ka shkaktuar inat në popullin arab dhe ka mohuar qëllimin e misionit faktmbledhës.

“Kjo është njësoj sikur t’i japësh regjimit sirian mbështetjen për vazhdimin e aksioneve cnjerëzore në sytë dhe veshët e Ligës Arabe”, tha zyrtari i lartë.

Parlamenti është një komitet këshillues prej 88 anëtarësh që janë dërguar nga vendet anëtare të Ligës Arabe. Rekomandimet e tij nuk janë detyruese dhe organi funksionon më vete.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se shumë demonstrues kanë filluar të ndihen të zhgënjyer nga pamundësia e Ligës për të ndalur dhunën.

Rreth 60 vëzhgues ndodhen në Siri për të mbikëqyrur implementimin e planit të LA, që bën thirrje për dhënien fund të luftimeve, tërheqjen e trupave nga rrugët dhe lirimin e të burgosurve politikë.

Megjithatë, raportohet se disa tanke janë hequr, ndërkohë që disa snajpera janë konstatuar gjatë demonstratave dhe mitingjeve të popullsisë që kundërshton regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA