Në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës për vitin 2011-të, kreu i saj, Hashim Thaçi, ka thurur lëvdata për kabinetin që ai drejton. Qeveri e përgjegjshme, e mentalitetit të ri, me vizion perëndimor dhe si qeveri që ka punuar për qytetarët, kanë qenë disa nga fjalët që ka zgjedhur për të përshkruar punën e mandatit të qeverisë “Thaçi 2”.

Madje, Thaçi shkoi edhe më larg kur tha se Kosova është shteti i vetëm në Europë që ka pasur një ngritje të lartë të pagave gjatë këtij viti që po lëmë. Në anën tjetër, duke folur për ngjarjet që mbetën pjesë e vitit 2011, kryeministri Thaçi ka përmendur aksionin e 25 korrikut të njësive speciale në Veriun e Kosovës.

“Në pikat doganore 1 dhe 31 janë doganierët dhe policët kosovarë. Gjendja do të shkojë drejt funksionalizimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Thaçi ishte i vetmi që foli në këtë mbledhje të qeverisë ndonëse në rend të ditës ishin parashikuar edhe 5 pika të tjera. Ai më këtë rast u shpreh optimist për vazhdimin e dialogut teknik me Serbinë dhe sipas tij do të ketë vetëm marrëveshje që janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Duke folur për çështjen e integrimeve europiane, kryeministri Thaçi deklaroi se tashmë Kosova ka një ofertë konkrete nga Bashkimi Europian, siç është ajo për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA