Shefi i ICO-së në Kosovë, Piter Feith ka deklaruar se ka ardhur koha që pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë t’i vijë fundi.
Në një shkrim autorial në të përditshmen “Danas”, Feith është shprehur se tashmë Kosova është e aftë të qendrojë me këmbët e veta.
“Jam takuar me presidentin Ahtisari në Finlandë dhe kemi diskutuar për rezultatet e arritura gjatë katër viteve pavarësi të mbikëqyrur. Ai është dakord me mua që në kushte të caktuara, pjesa më e madhe e punës sonë ka përfunduar”, ka shkruar Feith.
Megjithatë, ka nënvizuar ai, para se të mbyllet procesi i mbikëqyrjes autoritetet kosovare duhet të përfundojnë disa detyra të rëndësishme.
“Detyra kryesore është decentralizimi në veri të Kosovës dhe formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut, si simbol i këtij procesi”, ka theksuar Feith.
Ai është shprehur se ekziston nevoja për një bashkëpunim më të fortë mes veriut dhe jugut të Kosovës dhe ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve nuk është një veprim i denjë për një vend që synon afrimin me familjen evropiane.
“Bllokimi i rrugëve dhe pengimi i lëvizjes së lirë janë hapa prapa dhe të padenja për rajonin që synon anëtarësimin e plotë në familjen evropiane”, ka nënvizuar Feith.
Shumë probleme, ka shtuar ai, janë shkaktuar nga qëndrimi i vazhdueshëm jofleksibël i Serbisë ndaj Kosovës, “qëndrim që nuk ka vend në Evropë dhe që dëmton sa Kosovën aq edhe Serbinë”.
Top Channel