Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të maskuar me “fytyrën” e kryeministrit Hashim Thaçi dhe me kapela të babadimrit, në një aksion të organizuar në sheshin “Nëna Tereza”, kanë shpërndarë 500 pako me 13dhuratat e kryeministrit, apo siç e quanin ata “Hashim Dimri”.
Vjedhja e votave, negociatat me Serbinë, rrezikshmëria e qëndrueshmërisë financiare të shtetit, vendimi për privatizimin e PTK-së, zgjedhja e presidentes në mënyrë antikushtetuese, marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe heqja e masave të reciprocitetit, ishin disa nga dhuratat që Vetëvendosje në emër të Hashim Thaçit iu ndau sot qytetarëve të Kosovës.
“Nëse përgjithësisht festën e Vitit të Ri e karakterizon njëfarë altruizmi, shkëmbimi i dhuratave midis njerëzve, një relacion i tillë nuk ekziston midis qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj për shkak se qeveria ka përvetësuar, ka marrë prej qytetarëve të Kosovës pa iu kthyer atyre asgjë. Lëvizja Vetëvendosje e ka organizuar këtë aksion simbolik për të bërë edhe njëherë bilancin e dhuratave krahas dëmeve që qeveria e Hashim Thaçit u ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës.Viti ka filluar me gjithë vjedhjen industriale të votave, konstituimi i qeverisë është bërë nga pakica e popullit elektoral. Pas kësaj, vendimi i parë i Hashim Thaçit ka qenë emërimi i Edita Tahirit si shefe e delegacionit për negociata me Serbinë”, theksoi Zgjim Hyseni, aktivist i Vetëvendosjes.
Dëm tjetër shumë i madh sipas Vetëvendosjes ka qenë edhe marrëveshja e ashtuquajtur për menaxhimin e integruar të kufijve, me ç’rast kufiri i Kosovës me Serbinë në vend që të jetë kufi ndërshtetëror kaloi në një kufi administrativ dhe shumë çështje të tjera.
“Një dëm i madh që qeveria e Kosovës i ka shkaktuar sovranitetit ka qenë edhe ndërhyrja aventureske që ka rezultuar me vdekjen e Enver Zymberit edhe me “betonizimin” e strukturave paralele atje”, shtoi Hyseni.
Ndërkohë, për të përmbyllur vitin 2011 lideri iVetëvendosjes, Albin Kurti, ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me gazetarët.
Top Channel