“Rruga e Arbrit” nuk kalon nga t(r)egu

29/12/2011 00:00

Hekuran Vladi – Është rruga e 1001 premtimeve dhe e një mbi një qeverive. Rruga që ka krijuar trafikun më të madh të votave sa herë janë zhvilluar zgjedhje, lokale apo parlamentare, dhe prapë nuk është Rrugë!

Pas kaq vitesh, ajo kujtohet herë si ide e socialistëve dhe herë si projekt i demokratëve, por në fakt, Rrugë nuk është më që nga koha e Arbrit! Dhe duket se do të vijojë gjatë kështu, të paktën edhe dy vite të tjera. Më pas, në 2013-n, kemi zgjedhje të reja, qeveri të reja socialiste, ose këtë qeveri, por premtime të vjetra…

Në “Rrugën e Arbrit” nuk po punohet dhe as po investohet më. Nuk po shkojmë larg ndër vite, por të paktën t’ia nisim që nga 2009-a; kohë e afërt që kujtesa qytetare dhe ‘Google’ internet të mos na lënë në baltë. Qeveria e (ri)premtoi atëherë. Filluan disa makineri të bëjnë pluhur në fushatën elektorale dhe më vonë, pluhuri elektoral e mbuloi pluhurin e makinerive.

Çështje pluhuri vajti ajo punë. Pluhur e hi. Ashtu si edhe projekti i Rrugës, që nuk është financuar as në ¼ e tij. Por edhe më keq u vajti atyre që punuan në atë kohë, faturat e të cilëve ende nuk janë paguar të gjitha.

Pra, aktualisht pyetja nuk shtrohet, kur do të mbarojë rruga, por kur do të vazhdojnë punimet? Për të gjithë ata që janë të paqartë pse ky projekt u ndal që në fillimet e veta, po jap më poshtë dy prej arsyeve të vërteta. Paraprakisht, po theksoj që nuk marr as mundimin të shkruaj për ata që i dinë këto të vërteta. Dua të shkruaj dhe të bisedoj me ata që nuk i dinë apo që janë të paqartë.

E para është arsye politike, lehtësisht e klasifikueshme si e tillë. “Rruga e Arbrit” supozohet me të drejtë që do të lidhë dhe do të integrojë një pjesë të rëndësishme të zonës verilindore të vendit dhe më gjerë; kryesisht dy Dibrat me metropolin.

T’i quajmë si të na vijë për mbarë, Dibra e Vogël dhe Dibra e Madhe, apo Dibra e Varfër dhe Dibra e Pasur, ose Dibra këtej kufirit e Dibra matanë kufirit. Distanca mbetet e njëjtë, në rast se do të ndërtohej Rruga, vetëm 72 km nga Tirana.

Është pikërisht premtimi i këtij numri me dy shifra në Dibër, që qeverisë aktuale i dha dy deputetë më shumë. Qëndrimi i qeverisë në pushtet u kushtëzua thjesht nga 2 mandatet e marra jashtë çdo parashikimi në Qarkun e Kukësit dhe atë të Dibrës.

Në të parin, pothuajse e kishte mbaruar rrugën (Rruga e Kombit), ndërsa në të dytin ishte premtim (Rruga e Arbrit). Katër deputetët që krijojnë qartësisht diferencën e shumicës, as që nuk guxojnë t’ia kujtojnë qeverisë premtimin e dhënë. Po ua tregoj edhe pse-në.

Nuk është sekret, i kam miq të mirë e janë njerëz pa sekrete. Jemin Gjana, e kishte pasë cigaren e fundit atë ditë që kthehej triumfator nga Dibra me rezultat të thellë (4-2), ndryshe nga prapaderësit e z.Berisha; znj.Topalli dhe z.Bode.

Kushedi sa herë duhet ta ketë lexuar gjatë rrugës sms-në e z.Berisha, dërguar dy ditë para zgjedhjeve, ku flitej për portofola bazuar në këtë thellësinë e rezultateve e të tjera si kjo.

Gjithsesi, z. Gjana e dinte dhe e di raportin e shefit të tij me fjalën e dhënë. Dhe ju që nuk e dini, do ta mësoni më poshtë… Ndërkaq, dy nga ekonomistët më të mirë të vendit, z. Sherefedin Shehu dhe z. Selami Xhepa, të futur rishtazi në politikë, besoj se duhet të kenë lexuar këto dy vjet literaturë politike, në shqip e anglisht, më shumë se ç’kanë lexuar krejt deputetët e tjerë prej ‘90-s e këtej.

Nuk e kanë gjetur akoma atë faqen ku flitet se si ta bëjnë z.Berisha të mbajë fjalën. Sigurisht, nëse ekziston! Për t’i vënë kapak me z. Bedri Hoxha, që nuk e ka ndarë akoma mendjen nëse bëri mirë apo keq që la karrigen e kryetarit të Bashkisë së Klosit për t’u bërë deputet.

Kam frikë se i duket vetja si ai që bleu një shalë në pazar dhe kur u kthye në shtëpi, kali kishte ngordhur. Gjithsesi, z. Hoxha është rehat, pasi ai mendon se besa vetëm i jepet Berishës, nuk i merret. Si z. Hoxha, ja ku e mësuat të gjithë tashmë!

E dyta, është për arsye ekonomike. Nuk ka para. Në fakt, paratë ishin aty, por kredia e negociuar prej kohësh për “Rrugën e Arbrit”, krejt papritur kaloi për rrugën e t(r)egut.

Por, Qeveria nuk është ajo që prodhon para. Qeveria shpërndan paratë që mbledh nga njerëzit, në mënyrën më të drejtë dhe korrekte. Më falni, shaka e fundvitit kjo…

Le të shtrojmë tani disa pyetje krejt të drejta, që mund t’i bëjë çdo logjikë e shëndoshë: T’u shkurtojmë rrugën njerëzve që të vijnë në Tiranë dhe të shesin prodhimet e tyre, apo t’u shkurtojmë rrugën që të vijnë dhe të blejnë stoqet e magazinave të Lindjes e Perëndimit? Të ishte qëllimi i parë, qeveria do të vazhdonte financimin e “Rrugës së Arbrit” dhe “Rruga e Elbasanit” të fillonte kur të gjendeshin paratë. Çfarë ndodhi?

U rritën prodhimet në Elbasan dhe zgjerimi i tregut për fermerët elbasanas e më tej u pa si veprim ekonomik me efekt shumë më të leverdishëm për ekonominë e vendit?! Pati ndonjë ‘boom’ prodhimi?! Jo! Edhe në Korçë, Pogradec, Elbasan etj., mollët e qepët janë kalbur njësoj. Fundja, kush e bëri një analizë, arsyetim apo justifikim të tillë? Asnjë, me arsyen e thjeshtë se nuk ka! Megjithatë, diçka ka ndodhur.

Është hapur një supermarket në dalje të Tiranës, kur shkon për Elbasan. Nëpër libra lexojmë dhe nëpër praktikat e mira të zhvillimit ekonomik shohim përditë, që një nga elementët e rëndësishëm të marketingut është: ta çojmë mallin te klienti.

Krejt ndryshe nga çfarë na mëson modeli ynë ekonomik; që na udhëzon të grumbullojmë mallin në magazinë, se mjafton ta kemi mirë me qeverinë dhe na i sjell qeveria klientët aty.

Jam gati të vë bast 104 milionë dollarë, që ky model është i gabuar. Të kthehemi te “Rruga e Arbrit”. A nuk mund të gjejmë edhe në këtë Rrugë një copë truall të mjaftueshëm për të ndërtuar një supermarket, madje akoma më të madh?

Po jua tregoj unë edhe se ku. Ndodhet afër vendit të quajtur “Kafja e Rremës” e ka qenë plot me ndërtime ushtarake, të cilat janë bosh prej vitesh. Le të shpresojmë që t’i mbushet mendja ndonjërit që e ka mirë me qeverinë dhe të ndërtojë një supermarket diku aty. E ka gati edhe emrin, ndoshta do t’i pëlqejë…

Dhe menjëherë, referuar modelit tonë ekonomik, me logjikën e ndjekur deri tani, do të anulohen fondet për autostradën e Vlorës dhe do të vazhdojë “Rruga e Arbrit”. Pak më sipër, sapo vura bast 104 milionë dollarë që ky model ekonomik është i gabuar.

E kam të fituar bastin, por para nuk fitoj gjë. Paratë, disa herë më shumë se 104 milionë, i kemi humbur të gjithë ne. Tani, patriotët e mi në Dibrën e Vogël, Dibrën e Varfër, a Dibrën këtej kufirit, humbasin më shumë. Megjithatë, ata i kanë dhënë besën Sali Berishës dhe siç e mësuat, atij vetëm i jepet. Dhe, jo vetëm besa…

Nga gazeta “Shqip”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta