Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ja kush janë më të votuarit për deputetë deri më tani Në Tuz të Malit të Zi, është mbajtur një tubim proteste në mbrojtje të pakicës shqiptare në këtë shtet.
Protesta është mbajtur për ligjin që ndalon përdorimin e flamurit kombëtar, çështja e pronave dhe ndarjes së komunës së Tuzit si njësi më vete.
Anton Lulgjuraj, kryetari i Forumit Demokratik për Integrim, shpalos kërkesat: “Të themelohet komuna e Malësisë, të themelohet vetëqeverisja lokale, të kthehen pronat tek pronarët, të lejohen librat në gjuhën shqipe. Kryesorja është se ne kërkojmë që të lejohet përdorimi i flamurit shqiptar që me ligjin e fundit që ka hyrë në fuqi nuk lejohet.”
“Përdorimi i flamurit tashmë nuk lejohet dhe ky është problemi kryesor”, thekson deputeti Genc Nimanbegu.
Në çështjen e tyre shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë edhe ndihmën e Tiranës zyrtare.
“Tirana zyrtare është zhytur në luftën për pushtet dhe i ka harruar detyrimet e veta. Ajo duhet të interesohet për pakicat sepse është e shkruar në Kushtetutë”, deklaron profesori Vasel Camaj.
Kjo është protesta e parë pas 6 vjetësh. Protesta e fundit në vitin 2006 u mbyll nga ndërhyrja e policisë e cila arrestoi 18 persona.
Protesta e shqiptarëve në Mal të Zi është mbyllur në mënyrë paqësore, por ata duken të vendosur në mbrojtjen e identitetit të tyre duke kërcënuar me shkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Top Channel