Ish-presidenti kroat, Stipe Mesic. në një intervistë për Radio Dukagjinin, ka deklaruar se çelësi i zgjidhjes së problemit të veriut ndodhet në Beograd, ndërsa duke folur për gjendjen e pakicave, ka thënë se serbët dhe pakicat tjera në Kosovë kanë pozitën më të mirë në Europë.
Sipas tij, asnjë pakicë në Europë nuk gëzon të drejtat kushtetuese sikurse në Kosovë dhe kjo tha Mesic është dashur të çmohet dhe përkrahet në Beograd e jo të pengohet bashkëpunimi i serbëve të Kosovës me institucionet kosovare.
“Kur serbët e Kosovës në shumicë kanë vendosur të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, Beogradi nuk e ka dëshiruar këtë, sepse i është nevojitur baza nacionaliste për të mobilizuar votuesit e vet, për të fituar shumicën në parlament. Ndërkohë, serbët e Kosovës nga kjo nuk kanë përfituar asgjë”, u shpreh Mesic.
Ajo çfarë tani po ndodh në kufirin e Kosovës, sipas Mesiç, është thjesht “ luftë e humbur që i shkakton dëme të dyja palëve. Beogradi nuk është i detyruar për shkak të arsyeve të tij historike nëse nuk dëshiron ta njoh Kosovën, por kurrsesi nuk duhet të pengojë që Kosova të bashkëpunopjë me vendet e tjera”.
Stipe Mesic, këtë vit është shpallur qytetar nderi i Prishtinës dhe është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”.
Si mik i shqiptarëve ai ka porositur udhëheqësit kosovarë që të marrin përgjegjësinë për të udhëhequr drejt me Kosovën.
“Porosia ime është në fakt për ata që e kanë marrë përgjegjësinë për të udhëhequr Kosovën, për funksionimin e institucioneve të saja, funksionimin e shtetit demokratik, zhvillimin ekonomik –sa më parë që është e mundur t’i identifikojnë mundësitë, identifikojnë prioritetet të cilat duhet të kryhen, të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e shtetit për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, nëse është nevoja të kërkohet edhe ndihmë financiare nga miqtë. Nëse kjo do të arrihet, kosovarët do të kenë mundësi punësimi dhe nuk do të largohen nga Kosova, përkundrazi, do të kthehen në Kosovë”, tha Mesic.
Top Channel