Njëri nga sportistët më të famshëm shqiptaro-kosovarë në botë, boksieri Luan Krasniqi, lajmëroi zyrtarisht të enjten për tërheqjen përfundimtare nga sporti.
Siç raportoi “Telegrafi”, boksieri njoftoi lajmin që përflitej prej kohësh përmes një letre të publikuar në faqen e tij të internetit, www.luankrasniqi.com, në të cilën ka falënderuar të gjithë tifozët për mbështetjen që i kishin dhënë ndër vite.
Gjatë karrierës së tij gati 15-vjeçare në kategorinë e rënda të boksit profesionist, Luani ka luftuar në 35 ndeshje zyrtare, 30 prej të cilave i ka fitore (14 me nokaut), 1 barazim dhe katër humbje.
Maja më e lartë e karrierës si profesionist ishte renditja si numri 2 në botë për peshat e rënda në WBO, ndërsa për shumë vite me radhë ishte Kampion Europian për peshat e rënda të EBU.
Në vazhdim mund të lexoni letrën e lamtumirës së publikuar në faqen zyrtare të boksierit.
Të dashur miq, viti 2011 po përfundon dhe mua më ofron mundësinë, që të gjithëve t`iu falënderoj përzemërisht.
Unë, nga sporti i boksit profesionist do të tërhiqem dhe të gjithë ju jam mirënjohës për mbështetjen tejet të madhe, të cilën e kam patur nga tifozët e mi, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim si boksier.
Në rrugëtimin tim sportiv, ju më keni dhënë kurajo dhe simpatinë tuaj e ndiej edhe sot, përmes letrave të shumta, të cilat më arrijnë çdo ditë.
|
Ndaj, për këtë sport të dashur për ne, do të punoj në vazhdimësi. Përvojën time do ta vë në shërbim të këshillimit dhe mbështetjes së talentëve të rinj. Natyrisht që si ekspert i këtij sporti, po ashtu, përmes ekraneve, do të jem i angazhuar për ju.
Unë do të bëj çmos që boksi të mbetet tërheqës, në mënyrë që ju, të dashur admirues të sportit të boksit, edhe në të ardhmen të përjetoni ndeshje interesante dhe të nivelit të lartë!
Ju faleminderit dhe mirëupafshim,
I juaji Luani
Top Channel