Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews deklaroi situata në Kosovë është e
mirë, përveçse në veri, ndërsa ka qartësuar se veprimet e KFOR-it nuk kanë
qenë për shkak të presionit të Prishtinës.

Në një intervistë për mediat serbe, të cilave u referohet Telegraf, Drews tha se shpreson që rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të implementohen sa më shpejt, në mënyrë që njerëzve në terren t’u mundësohet jetë më e mirë.

“Sinqerisht, vendimet për bllokimin e rrugëve për mua janë të papranueshme. E di se shumë serbë nga veriu nuk janë të kënaqur për shkak të këtyre barrikadave dhe ajo që duan është që të vazhdojnë të bëjnë jetë normale.  Ndalimi i EULEX-it, misionit evropian për sundimin e ligjit, për KFOR-in është i papranueshëm. Lëvizja e lirë është qëllimi i misionit tonë dhe ne nuk do të pranojmë asnjë rezultat tjetër”, ka theksuar Drews.

Drews ka thënë se KFOR-i nuk ka ndonjë pozicion sa i përket çështjes se serbët e veriut pohojnë se i takojnë shtetit të Serbisë e jo shtetit të Kosovës, por ka thënë se ata duhet të lëvizin dhe të shohin vendbanimet tjera me serbë në Kosovë, ku raportet ndëretnike janë shumë të mira.

Top Channel