Cifti kryeministror Sali dhe Liri Berisha, në morinë e urimeve të fundvitit, nuk kanë harruar të tregojnë vëmendje edhe për anëtarët e kabinetit qeveritar.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje jo vetëm për punën e tyre, që sipas tij kanë çuar përpara reformat për zhvillimin e vendit, por edhe kanë treguar luajalitet në bashkëpunimin e tyre.
Kryeministri e përqendroi vëmendjen tek reformat pasi, siç tha ai, ishin këto reforma që mbajtën larg krizën financiare europiane dhe botërore, duke bërë të mundur realizimin e objektivave kryesore të programit të qeverisë. Njëri prej tyre, siç vuri në dukje kryeministri Berisha ishte rritja e pagave dhe pensioneve.
Qeveria shqiptare është nga më të paktat qeveri në Europë e në botë që në këtë periudhë krize botërore vazhdon rritjen e ndjeshme të rrogave e pensioneve të qytetarëve shqiptarë. E rëndësishme për kryeministrin ishte që me menaxhimin e mirë të punëve u bë e mundur hapja e punëve të reja për ndërtimin e infrastrukturës së vendit dhe investimeve të tjera, pa cënuar stabilitetin makroekonomik.
“Ne e mbyllëm vitin me një deficit buxhetor sipas parashikimit, 3.5 për qind. Ne dëshmuam se jemi qeveri shumë serioze dhe nuk mund të na shpëtojë situata nga dora. E mbyllim vitin pa rritje të borxhit dhe duke realizuar me plot ambicie projektet e parashikuara”, theksoi Berisha.
Viti i ardhshem për kryeministrin është sërish shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të konkretizuar buxhetin, por edhe sepse 2012-ta përkon me 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, i cili duhet ta gjejë vendin dhe qytetarët e tij më të begatë dhe më të zhvilluar.
Top Channel