Në këto ditë festash Aleanca Kuqezi organizoi në Romë një takim me
aktivistë dhe me emigrantë. Por këtë herë në qendër ishin fëmijët, të
lindur në Itali apo të ardhur në moshë fare të vogël.
Synimi i nismës së Aleancës Kuqezi në Romë qe sensibilizimi i nënave shqiptare për t’u mësuar gjuhën shqipe femijëve të tyre.
E një dhuratë e veçantë për fëmijët e emigrantëve në këtë vit të ri qenë abetaret, të sjella në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas”.
Siç u shpreh aktivisti Guxim Kola, këto do t’i japin mundësi fëmijëve të pasurojnë gjuhën e kulturën e tyre, të kenë një dritare mbi Shqipëri.
Gjatë takimit iu bë një thirrje e fortë emigrantëve: “Shprehuni shqip me fëmijët, sepse kjo është një pasuri që nuk duhet humbur”.
Disa ditë më parë Aleanca Kuqezi ishte në Londër, ku kryetari Kreshnik Spahiu promovoi fushatën “1 milion kuqezi”, duke deklaruar: “Në Londër ndodhi copëtimi, por mund të fillojë edhe bashkimi”.
Kjo fushatë synon që për 100-vjetorin e pavarësisë të bëhen 1 milion aktivistë të kësaj aleance dhe ajo të shndërrohet në lëvizje popullore mbarëkombëtare në trojet etnike dhe diasporë.
Ndërsa më herët gjatë muajit grupimi mblodhi Asamblenë Kombëtare, ku u dikutua për Kuvendin e parë Mbarëkombëtar të Aleancës, që pritet të zhvillohet në maj 2012, ku do të miratohet programi me moton “Shqipëria Bëhet”.
Top Channel