Përfaqësues të lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar sërish qeverinë e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me Serbinë.
Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se marrëveshja që po zbatohet është produkt i negociatave të imponuara nga Serbia dhe rrjedhojë e një procesi jo të drejtë.
“Marrëveshjet në formë konkluzionesh nga negociatat e qeverisë së Kosovës me Serbinë po përkufizojnë një marrëdhënie të vecantë mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse është e vecantë, kjo është një marrëdhënie nënshrtrimi dhe jo barazie”, ka deklaruar Ymeri.
Ymeri ka nënvizuar se në raportet Kosovë-Serbi ekzistojnë dy fakte, për të cilat sipas tij ka pajtueshmëri të plotë.
“Në njërën anë është Serbia që nuk e njeh Kosovën dhe në anën tjetër ka një vendim të Kuvendit të Kosovës që kërkon reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”, ka theksuar Ymeri.
“Vendimi i Kuvendit shpreh aspiratën e një shteti dhe të një populli për një marrëdhënie që bazë ka barazinë. Ndërsa zhvillimet aktuale nuk janë në kuadrin e zhvillimeve normale mes shteteve”, ka shtuar ai.
Shefi i grupit parlamentar të njërës prej partive kryesore të opozitës kosovare ka paralajmëruar se, nëse deri më një janar nuk zbatohet vendimi i Kuvendit, dy javë më vonë do të ketë bllokim të vendkalimeve kufitare për të mbrojtur vendimin e Parlamentit të Kosovës.
Lëvizja e lirë Kosovë-Serbi filloi ditën e hënë dhe u konfirmua nga ministri i Brendshëm kosovar Bajram Rexhepi, i cili saktësoi se marrëveshja nuk përfshin vetëm ato pjesë të veriut ku ndodhen barrikadat serbe.
Por kostoja e lëvizjes së lirë me Serbinë duket se do të jetë më e dëmshmja për shkak të taksave kufitare, që konsiderohen si më të lartat nga udhëtarët e në vecanti tregtarët.
Top Channel