Turqia dha të mërkurën miratimin e saj për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedhja Jugore” (South Stream), i cili pritet të reduktojë koston për energjinë në tregjet e Europës.
Gazsjellësi do të transportojë gazin rus në vendet e Bashkimit Europian duke kaluar nën Detin e Zi. Nëpërmjet ndërtimit të tij, shmanget kalimi në territorin e Ukrainës, kalim i cili ka qenë shpesh herë problematik për shkak të marrëdhënieve të tensionuara midis dy shteteve.
”Gazprom” është kompania kryesore që po financon punimet, me 50% të shumës, ndjekur me 20% nga kompania italiane “Eni” dhe me nga 15% nga kompanitë franceze dhe gjermane “EDF” e “Wintershall”.
Në një komunikatë të shkurtër të publikuar në faqen e “Gazprom”, shkruhej se “të gjitha miratimet e domosdoshme për vazhdimin e këtij projekti tashmë janë marrë”.
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një ceremonie në Moskë komentoi: “Do të doja të falenderoj qeverinë turke për vendimin e marrë në favor të ndërtimit të këtij gazsjellësi në zonën e saj të influencës dhe të interesave ekonomikë”.
Pritet që punimet për tubacionet të përfundojnë në vitin 2015. Konkurrentja më e madhe e “Rrjedhës Jugore” është projekti “Nabucco”, i mbështetur nga BE, i cili do të transportojë gazin nga zona Kaspike deri në Austri, duke kaluar nëpërmjet Europës Jugore.
Projekti “Rrjedhja Jugore” do të kalojë nga Rusia, nën Detin e Zi, për të dalë në Bullgari, ku do të ndahet në dy rrjedhja. Njëra do të ngjitet në veri në Serbi, Hungari, Slloveni e Austri, ndërsa rrjedhja e poshtme del në Greqi, duke përfunduar në portin e Igumenicës.
Top Channel