Të urosh për Vitin e Ri

28/12/2011 20:25

Dhurata, urime dhe kartolina. Në këto ditë të fundit të vitit, shkëmbimi i dhuratave mes familjarëve dhe miqve është një nga ritualet më të bukura.

Fëmijët janë ata që gëzojnë më shumë në këto ditë. “Unë quhem Dea, babagjyshit i kam kërkuar lodra të ndryshme. Dua që të më sjellë ndonjë kukull. Ia kam kërkuar këtë kur e takova dhe jo me letër”, thotë një vogëlushe.

Por edhe kartolinat mbeten një dhuratë e bukur për shumë qytetarë, të cilët në këto ditë festash urojnë miqtë e tyre brenda dhe jashtë vendit.

“Për mua me interes është kartolina me pamje nga qytetet. Të marrësh një kartolinë me Sarandën apo Vlorën dhe t’ia dërgosh njeriut tënd jashtë shtetit është shumë më  mirë sesa ato që mbajnë të shkruar “Happy New Year””, thotë një burrë në moshë të thyer.

Kartolinat me motive tradicionale përdoren kryesisht për të uruar miqtë apo familjarët që ndodhen jashtë vendit.

“Dy të parat i zgjodhi me pamjet e Tiranës dhe Ksamilit, ndërsa për sot ka zgjedhur një tjëtër”, thotë mamaja e një vajze të vogël, që do t’u dërgojë kartolina të afërmve jashtë vendit.

Megjithatë, interneti ka bërë që të hiqet dorë më së shumti nga kartolinat tradicionale dhe vendin e tyre ta zënë kartolinat elektronike dhe urimet përmes mail-eve.

Këtë fundvit blerjet nuk  kanë qenë të shumta. Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e fundvitit dhe gati të gjithë po nxitojnë të plotësojnë listën e dhuratave që kanë menduar për njerëzit e tyre të dashur, një formë për t’u treguar se ata janë të rëndësishëm për secilin prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA