Të ashtuquajturit delegatë të kuvendeve komunale të komunave veriore përkatësisht të veriut të Mitrovicës dhe Zvecanit, kanë votuar të mërkurën pro mbajtjes së referendumit në të cilin qytetarët serbë do të përcaktohen nëse duan t’i pranojnë institucionet e Kosovës.
Pro këtij referendumi pritet që gjatë ditës të votojnë edhe delegatët e komunës së Zubin Potokut, ndërsa kryetari ilegal i komunës së Leposavicit, Branko Ninic ka bërë të ditur se në komunën e tij nuk do të mbahet një mbledhje e tillë.
Mbledhja nuk do të mbahet sipas tij, sepse është i rezervuar ndaj idesë që qytetarët e veriut të përcaktohen në formë plebishitare për çfarëdo çështje, pra edhe për këtë raportojne mediat serbe dhe ato lokale në Mitrovicë.
Kurse sipas kryetarit ilegal në veri të Mitrovicës, Kerstimir Pantic, referendumi do të mbahet më 14 ose 15 shkurt të vitit të ardhshëm. Në anën tjetër shqiptarët e veriut të Mitrovicës përkatësisht të ‘Lagjes së Doktorëve’ dhe fshatit Suhodoll, kanë bllokuar të mërkurën rrugën në shenjë pakënaqësie me ndërprerjen e energjisë elektrike nga ana e ‘Elektroprivreda”-s serbe.
Raportohet se banorët e kësaj lagjeje dhe ata të Suhodollit kanë bllokuar rrugën pasi serbët me qëllim janë duke i diskriminuar përmes furnizimit me energji elektrike.
Rruga e bllokuar con për në fshatrat në veri të Mitrovicës, si Suhodoll, që është i banuar me popullatë të përzier, pastaj fshatrat Vinarc, Gushafc, Çabër, fshatra këto të banuara me shqiptarë.
Top Channel