Ushtria izraelite lëshoi një sulm ajror ndaj palestinezëve të dyshuar si militantëve në Gaza, duke vrarë të paktën një person e plagosur tetë të tjerë, lajmëruan burime zyrtare mjekësore.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të ditës së martë dhe u konfirmua gjatë së mërkurës në një deklaratë të Forcave të Armatosura Izraelite. Sipas këtij versioni, ushtria izraelite ishte vënë në ndjekje të një celule të lidhur me lëvizjen terroriste xhihadiste, e cila kishte si synim të të godiste objektiva në Sinai.
”Ushtria izraelite nuk do të tolerojë asnjë tentativë për të goditur civilët apo ushtarët izraelitë dhe do të veprojë në mënyrë të ashpër ndaj të gjithëve atyre që tentojnë të bëjnë këtë në territorin e shtetit tonë. Organizata terroriste e Hamasit është përgjegjësja e vetëm për aktivitetin terrorist që nuk lejon banorët e Rripit të Gazës që t’i rikthehen jetës së tyre të zakonshme”, shkruhej në komunikatë.
Sipas ushtisë izraelite, ndërhyrja në kohë e saj shmangu një sulm të ngjashëm me atë të muajit gusht, kur shtatë ushtarë izraelitë mbetën të vrarë pasi disa militantë fituan ilegalisht akses në vend, duke kaluar kufirin me Egjiptin.
Atëherë, ushtria izraelite goditi gabimisht një patrullë ushtarake egjiptiane, duke vrarë pesë ushtarë. Si rrjedhojë, autoritetet e Tel Avivit kërkuan si rrallë herë një ndjesë publike.
Top Channel