Autoritetet greke lajmëruan gjatë të mërkurës për nisjen e një procesi gjyqësor ndaj kryemurgut të Manastirit të famshëm të malit Athos në Greqi, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e mashtrimit financiar dhe zhvatjes.
Kryemurgu Ephraim, 56-vjeçar, besohet se në emër të manastrit të famshëm të “Vatopedit” ka kryer shkëmbime tokash me shtetin, të cilat kanë sjellë miliona euro përfitime të paligjshme për instititucionin që ai përfaqëson.
Kryemurgu, i cili mbahet në burgun e Koridhalosit në Athinë, mohon të ketë kryer ndonjë shkelje. Arrestimi i tij ka sjellë protesta të mëdha të murgjve përpara institucioneve, pavarësisht se skandali i tokave në të cilin ishte i përfshirë kisha kontriboi në rrëzimin e qeverisë konservatore në vitin 2009.
Partia e djathtë “Laos”, e cila merr pjesë në qeverinë teknike greke, gjithashtu e ka dënuar burgosjen e murgut. “Ephraim është futur në burg pikërisht për Krishtlindje, kur shkelës shumë më të madh se ai vazhdojnë të jenë të lirë”, deklaroi lideri i partisë, Georgos Karatzaferis.
Ministri i Drejtësisë, Miltiadis Papaioannou u kundërpërgjigj ashpër, duke e akuzuar për “ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë”.
Manastiri i “Vatopedit” është pjesë e komuniteteve të manastirëve të shenjtë të Malit Athos, ku për shekuj me rradhë nuk ka hyrë asnjë grua. Rrjeti i manastirëve ka një status të veçantë nga shteti grek, ndërsa kryemurg Ephraim ka vizituar në të shkuarën personalitete të tilla si Princi Charles i Britanisë apo ish-Presidenti e Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin.
Marrëveshja e hetuar i dorëzoi manastirit toka me vlerë deri në 100 milion euro nga pasuria shtetërore.
Top Channel