Një peshkarexhë ruse i është drejtuar detit të hapur, pasi mbeti për 12 ditë e bllokuar në ujrat e ngrirë të Antarktidës.
Zyrtarët neozelandëzë, të cilët i shkuan në ndihmë anijes, thanë se peshkarexha “Sparta” është rikthyer të lundrojë pasi u zhbllokua nga akulli dhe pasi disa riparime të domosdoshme u kryen.
Ishte një akullthyese koreanojugore, “Araon”, ajo që ndihmoi peshkarexhën, duke krijuar një kanal uji midis akullit, çka lejoi mjetin që të vazhdonte rrugën. Pritet që deri në orët e vona të së mërkurës, të dy anijet të kenë dalë përfundimisht nga zona e ngrirë.
”Si pasojë e presionit të akullit, trupi i anijes kishte pësuar dëmtime dhe ajo mundi të rikthehej në lundrim vetëm pasi u kryen një sërë riparimesh. Nëse ndërhyrja do të kishte vonuar me pak ditë, atëherë mund të kishte qenë tepër vonë për të shpëtuar peshkarexhën dhe ekuipazhin e saj”, u shpreh drejtuesi i operacionit të shpëtimit.
Një avion Herkules, në gjendje që të qëndrojë pezull në ajër, ishte dërguar më parë në vendngjarje, por nuk kishte arritur të tërhiqte në bordin e tij marinarët e bllokuar.
Ekuipazhi i “Spartës” përbëhet nga 15 rusë, 16 indonezianë dhe një ukrainas.
Top Channel