Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic
ka deklaruar se raundi i ardhshëm i dialogut do të mbahet vitin e
ardhshëm, nëse pala tjetër ndryshon qëndrimin ndaj rezolutës 1244 të
OKB-së.

“Sipas të gjitha gjasave, negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë pas vitit të ri. Por, për të arritur në një raund të ri duhet të qartësohet situata lidhur me rezolutën 1244”, ka thënë Stefanovic.

Duke folur për mediat serbe, të cilave u referohet “REL”, kryenegociatori ka nënvizuar se pala serbe kërkon përfshirjen e rezolutës 1244 në përfaqësimin e Kosovës në bisedimet dypalëshe.

Duke komentuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Stefanovic ka thënë se qytetarët së shpejti nuk do të paguajnë për sigurimin e makinave në pikat kufitare me Kosovën.

Kjo, pasi sipas tij, shoqëritë e sigurimeve të të dyja vendeve do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi që parashikon heqjen e kësaj takse.

Beogradi ka vendosur tarifën prej 60 eurosh për kosovarët, të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb, vendim të cilit Prishtina zyrtare i është përgjigjur me reciprocitet.

Për qytetarët kjo marrëveshje vlerësohet më e dëmshmja që është bërë ndonjë herë, pikërisht për shkak të taksave të vendosura nga autoritetet e të dyja palëve.


Kostoja e lëvizjes së lirë
me Serbinë dëmton edhe tre komunat e banuara me shqiptarë në Luginën e Preshevës, pasi banorët nuk do të mund të vijnë më në Kosovë ashtu sic kanë bërë deri më tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA