
Mijëra protestues janë mbledhur në qytetin sirian të Homsit, në një
moment kur monitoruesit e dërguar nga Liga Arabe kanë mbërritur në zemër
të demonstratave.
Vëzhguesit po verifikojnë situatën në përputhje me një plan për paqen të LA që kërkon dhënien fund të ofensivës së dhunshme ndaj protestave anti-qeveritare.
Aktivistët deklarojnë se tanket u tërhoqën nga Homsi disa orë para se të mbërrinin vëzhguesit. OKB thotë se mbi 5 mijë persona janë vrarë që nga nisja e protestave në muajin mars.
Aktivistët thanë se të paktën 30 vetë mbetën të vrarë në Homs gjatë ditës së hënë, teksa trupat qeveritare goditën me raketa disa zona të qytetit.
Por ata thanë se sulmet me raketa ndaluan gjatë natës dje, ndërsa tanket u tërhoqën nga qyteti në orët e para të së martës.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, deklaroi se shumë tanke të tjera mbetën në qytet, të fshehur brenda ndërtesave qeveritare.
Korrespondenti i BBC në Libanin fqinj, Jim Muir thotë se forcat e armatosura siriane kanë bërë vetëm një shfaqje me tërheqjen e tyre nga zemra e protestave të mëparshme, pasi janë kthyer kur protestat kanë rifilluar.
Televizioni privat sirian, Al Dunya, njoftoi se vëzhguesit e Ligës Arabe janë takuar me guvernatorin e provincës së Homsit.
Ndërsa ata mbërrinin në Homs dhe tanket largoheshin nga disa zona të qytetit, vëzhguesit thanë se të paktën 30 mijë persona mbajtën një protestë atje.
Top Channel