Qytetarët e Kosovës të cilët duan të udhëtojnë drejt Serbisë me dokumente kosovare aktualisht mund të kalojnë vetëm në dy pika kufitare, në atë të Merdarës dhe në pikën tjetër e njohur si “Dheu i Bardh” apo Koncul që të çon në qytetin e Bujanocit.
Kjo për arsye se qeveria serbe ende nuk ka pajisur të gjitha pikat kufitare me mjete të punës për zbatimin e marrëveshjes.
Në pikën kufitare tek “Dheu i bardhë” që lidh Kosovën me Serbinë ka qarkullim të lartë të qytetarëve por efektet e para të marrëveshjes tashmë kanë ngritur edhe çmimet e biletave të udhëtimit.
Para hyrjes në fuqi të marrëveshjes një biletë autobusi nga Preshevë në Prishtinë ishte 3 euro, ndërkohë tani është bërë 5 euro.
Vënia e taksave të larta nga 60 euro për 15 ditë qëndrimi në Kosovë sipas shqiptarëve të Luginës është e papërballueshme. Pagesa e policës kufitare duket se ka detyruar shqiptarët që t’i lënë makinat dhe të kalojnë kufirin në këmbë.
Këshilltari i kryenegociatores kosovare, EditaTahiri, Dren Zeka konfirmoi për Top Channel se ky problem pritet të diskutohet në takimet ndërmjet eksperteve të të dyja palëve ku marrin pjesë edhe përfaqësuesit e asociacioneve të kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij,ekziston pëlqimi i dyanshëm që të njihen sigurimet e dy shteteve dhe më pas do të hiqen taksat e tanishme.
Ndërkohë, burimet jozyrtare të Top Channel bëjnë të ditur se taksat e vëna do të hiqen brenda muajit janar.
Top Channel