Dhoma e ulët e Parlamentit Indian miratoi të martën një ligj të shumëdebatuar kundër korrupsionit, ndërsa aktivistja Anna Hazare shpalli një grevë të re urie, pasi e konsideroi ligjin si tepër të butë.
Sipas ndryshimeve që janë bërë në legjislacionin ekzistues, Avokati i Popullit ka të drejtë që të hetojë rastet e korrupsionit si midis politikanëve, ashtu edhe në popullsinë civile.
Kryeministri Manmohan Singh e cilësoi miratimin e ligjit si “një moment” special në historinë e vendit, por sipas Hazares dhe grupit të saj të aktivistëve, në formën që ai është shkruar, mbetet i dobët dhe i padobishëm.
”Kryeministri Singh nuk është duke mbajtur fjalën e tij për një luftë të ashpër kundër korrupsionit. Ky ligj do të jetë vetëm një “pickim” për qeveritarët e përfshirë në skandale të përvetësimit dhe abuzimit të fondeve”, u shpreh Hazare.
Një studim i publikuar së fundmi, e vendoste shumën e përvetësuar nga qeveritarët çdo vit në dhjetëra miliarda euro. Qeveria është përfshirë së fundmi në disa skandale të mëdha, të cilat kanë dëmtuar rëndë besimin e popullsisë tek autoritetet.
Midis skandaleve më të mëdha, është ai i telekomit, me liçensat e telefonisë celulare që u shitën 40 miliardë dollarë nën kosto, skandali i publikuar nga kabllogramet e “Ëikipedias”, të praktikës së blerjes së votës apo ai i ndihmës sociale për familjarët e ushtarëve të vrarë në luftë, para që shkonin në llogaritë bankare të disa zyrtarëve të lartë.
Top Channel