Rreth 1500 persona është vërtetuar që kanë vdekur nga përmbytjet që përfshinë jugun e Filipineve më shumë se një javë më parë.
Autoritetet lokale thonë se më shumë trupa të pajetë janë gjetur në jug të ishullit të Mindanaos, ndërkohë që nuk dihet numri i saktë i personave të humbur. Megjithatë, kërkimet do të vazhdojnë.
Tajfuni “Washi” përfshiu vendin nga data 16 deri në 18 dhjetor, duke shkatërruar qytetet Kagajan de Oro dhe Iligan.
Shumë banorë të këtyre qyteteve humbën jetën pasi ishin duke fjetur në momentin që tajfuni shkaktoi daljen e lumenjve nga shtrati dhe përfshirjen e banesave të tyre nga uji apo rrëshqitjet e tokës.
Gjithashtu, fshatra të tëra u rrafshuan nga vala e ujit. Zyra e mbrojtjes civile deklaroi se numri i personave që dihet se kanë vdekur është rritur në 1453, pasi 200 trupa të tjerë të pajetë u zbuluan në ujë.
Ana Caneda, shefe e mbrojtjes civile, tha për agjencinë e lajmeve “AFP”, se pritet që numri i viktimave të rritet më tej.
“Ka ende shumë zona që ne kemi kontrolluar dhe kemi gjetur trupa të vdekur që lundrojnë në ujë. Por ne nuk e dimë se sa njerëz janë varrosur nën ujin e përzierë me baltë”, tha Caneda.
Agjencia Kombëtare e Katastrofave deklaroi se mund të duhen deri në gjashtë muaj për të ndërtuar përkohësisht shtëpitë për rreth 60 mijë persona që kanë mbetur të pastrehë.
Shumë prej tyre aktualisht janë vendosur nëpër cadra ose në shkolla. Drejtori i degës filipinase të Kryqit të Kuq, Richard Gordon tha për BBC se ndërtimi i banesave afatgjata është një sfidë e vërtetë për autoritetet.
Top Channel