Një gjykatë në Kajro nxorri jashtë ligjit testimin e detyruar të virgjërisë, të cilit i nënshtrohen të gjitha të burgosurat në burgjet e zakonshme e kampet ushtarake.
Vendimi i gjykatës, i shpallur të martën, u motivua pas padisë publike të protestueses Samira Ibrahim. Ajo akuzoi ushtrinë egjiptiane se e detyroi t’i nënshtrohej këtij testi pasi u arrestua në demonstratat anti-qeveritare të sheshit Tahrir, në muajin mars.
Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar vazhdimisht Egjiptin për këtë praktikë, e cila është konsideruar fyese dhe ndëshkuese për popullsinë femërore.
”Gjykata urdhëron që ekzekutimi i procedurës së virgjërisë mbi vajzat brenda kampeve ushtarake dhe burgjeve të vendit të ndërpritet menjëherë”, deklaroi gjykatësi Aly Fekry, drejtuesi më i lartë i Gjykatës Administrative të Kajros.
Vendimi u prit me brohërima nga disa qindra aktivistë të ndodhur në sallën e gjyqit. Megjithatë, ata argumentuan se vendimi nuk është i mjaftueshëm për të ndalur praktikën abuzive, pasi duhet të vendosen edhe sanksione për ata që do të shkelin urdhëresën.
Më parë gjatë vitit, një gjeneral egjiptian argumentoi vendimin e kryerjes së këtij testi, për t’i paraprirë mundësisë që ushtria të akuzohet për përdhunimin e të arrestuarave.
Top Channel