Meksikë, në pranga “truri” i narkotrafikantëve

26/12/2011 16:10

Autoritetet meksikane lajmëruan të hënën për prangosjen bashkëpunëtorit më të afërt të bosit më të madh të drogës në vend, Joaquin “El Chapo” Guzman, i shumëkërkuar në Meksikë dhe në SHBA.

Ishte ushtria meksikane ajo që kreu operacionin e suksesshëm, duke e prangosur në shtëpinë e tij në Kulikan “administratorin e përgjithshëm” të klanit mafioz të Sinaloas.

Besohet se ai mund të japë informata të rëndësishme që mund të çojnë në arrestimin e “El Chapo”-s dhe të tregojë më shumë mbi varrosjet e fsheta, pengmarrjet, zhvatjet dhe aktet e tjera të dhunshme.

Arrestimi i bashkëpunëtorit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, përbën një goditje të rëndë për Guzman, i cili sipas “Forbes” është një prej 100 njerëzve me më shumë ndikim në botë dhe ka një pasuri personale prej më shumë se një miliard dollarësh.

Aktiviteti kryesor i kartelit të Sinaloas është eksporti i heroinës dhe llojeve të tjera të drogës në SHBA, prandaj FBI ka vendosur një shpërblim prej pesë milion dollarësh për të gjithë ata që do të japin informacione që do të çojnë në arrestimin e “bosit të drogës”.

Ndërkohë, të dielën, në një furgon të braktisur në shtetin e Tamaulipasit u gjendën 13 trupa të pajetë. Furgoni u pikas gjatë një patrulle rutinë të forcave policore. Sipas burimeve paraprake, personat e ekzekutuar janë viktimë e rivalitetit për më shumë territor midis grupeve të ndryshme të krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA