Ish-rebelët në Libi, që kanë luftuar kundër forcave të Muammar Gaddafi-t, kanë kërkuar një përfaqësim më të madh në Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, që qeveris vendin.
Revolucionarët, të mbledhur në një asamble, i kanë kërkuar KKT-së që të përbëhet 40 për qind nga ish-rebelët që mundësuan rrëzimin e regjimit të kolonelit.
Lideri i këshillit, Abdeljalil u ka propozuar pjesëmarrësve që të hartojnë një listë në bazë të të cilës do të zgjidhen, shtatë, tetë ose nëntë persona, që do të futen në radhët e KKT.
Libia ka sfida të mëdha përpara, thotë korrespondenti i BBC në Tripoli, si ndërtimi i një qeverie të fortë kombëtare, carmatimi i milicive dhe nxitjen e pajtimit.
Edhe pse Këshilli ka marrë në dorë frenat e qeverisjes, situata në vend vazhdon të jetë e tensionuar, pasi rreth 10 ditë më parë, në Bengazi, vendi nga ku morën udhë protestat si revoltë popullore kundër regjimit të Gaddafi-t, u zhvilluan sërish manifestime.
Ndërsa disa ditë më vonë, vajza e ish-diktarorit i dërgoi një kërkesë zyrtare Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të hetojë për vrasjen brutale të të atit 69-vjecar në tetor.
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, Luis Moreno-Ocampo deklaroi më herët gjatë muajit se ekzekutimi i njeriut që drejtoi Libinë për 42 vjet mund të konsiderohet si një “krim lufte”.
”Mendoj se mënyra se si Gaddafi u vra të krijon dyshimin e krimeve të luftës. Vdekja e tij duhet të hetohet”, u shpreh Moreno-Ocampo për reporterët.
Top Channel