Ashtu sic ishte parashikuar, mëngjesin e së hënës ka nisur zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Serbisë dhe Kosovë, e arritur në dialogun mes palëve në Bruksel.
Sipas “REL”, që citon ministrin e Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, në pikën kufitare të Merdares tashmë kanë nisur të aplikohen procedurat përkatëse.
Rexhepi ka nënvizuar se lëvizja e lirë nuk po aplikohet vetëm në ato zona të veriut ku banorët serbë vazhdojnë të mbajnë barrikadat, duke penguar qarkullimin.
“Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun, por nuk mund të zbatohet edhe në ato pjesë të vendit për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, të cilët pamundësojnë lëvizjen e lirë”, ka deklaruar Rexhepi.
Qytetarët, si të Kosovës ashtu edhe ata të Serbisë, mund të udhëtojnë mes dy vendeve vetëm me letërnjoftime, ndërsa për të kaluar në një vend tjetër u duhet pasaporta.
Ndërkohë, nisja e zbatimit të marrëveshjes është përshëndetur edhe nga zyra e ndërmjetësit të BE në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper.
“Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka filluar dialogu. Lëvizja e lirë është parim themelor i Bashkimit Evropian, kështu hapat drejt saj e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen në BE”, thuhet në një njoftim për shtyp të lëshuar nga zyra e Cooper.
Në dokumentin në fjalë vlerësohet se, njerëzit tani do të kenë mundësi të udhëtojnë vetëm me mjetet e identifikimit, duke u pajisur me një dokument hyrje-dalje në pikat kufitare.
Top Channel