Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic ka përsëritur qëndrimin e tij se për Kosovën duhet gjetur një zgjidhje e qendrueshme.
“Duhet gjetur sa më parë një zgjidhje për të gjitha cështjet. Zgjidhje që të jenë të pranueshme nga të dyja palët dhe që të mundësojnë shikimin nga e ardhmja”, ka deklaruar Dacic.
Sipas tij, në planin e brendshëm është e nevojshme të arrihet më shumë unitet dhe pajtueshmëri për qëndrimet dhe pikëpamjet lidhur me cështjen e Kosovës.
Shutanovac: Kosova? Miliarda euro të cuar dëm
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac ka deklaruar se gjatë këtyre viteve Beogradi ka shpenzuar kot shuma të mëdha parash për Kosovën.
“Në 13 vitet e fundit qeveria serbe ka ndarë 5 deri në 6 miliardë euro për serbët e Kosovës, por efikasiteti i këtyre parave nuk është arritur”, ka thënë Shutanovac.
Ai është shprehur se këto para duhet të ishin menaxhuar në mënyra të tjera dhe jo në mënyrën e zgjedhur, gjë që nuk u ka mundësuar serbëve stabilitet.
“Në vend që këto para të investoheshin në ekonomi, punësim, në importin e mallrave nga Kosova me TVSH të ulët, ose për të hapur njësi të reja prodhimi, ato janë ndarë për gjëra të pakthyeshme”, ka theksuar Shutanovac.
“Në disa raste, për shembull, ato para kanë vajtur tek persona që nuk jetojnë në Kosovë, ndërsa në raste të tjera tek serbë që punojnë për qeverinë e Hashim Thacit”, ka nënvizuar ai.
Bogdanovic: Të hiqen përfundimisht barrikadat
Ndërkohë, ministri për Kosovën, Goran Bogdanovic ka deklaruar se është koha që barrikadat serbe në veri të Kosovës të largohen njëherë e përgjithmonë.
Bogdanovic ka nënvizuar se ky proces duhet të mbarojë sa më shpejt dhe të mos shtyhet më tej me justifikime të kota.
“Arsyet për qëndrimin e barrikadave nuk ekzistojnë më. Barrikadat e kanë përmbushur qëllimin e tyre, duke parandaluar vendosjen e njëanshme të pushtetit nga ana e Prishtinës”, ka deklaruar Bogdanovic.
Por kryetari ilegal i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic ka thënë se barrikadat do të vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Kosovës, pasi serbët nuk pranojnë lëvizjet e Prishtinës.
Top Channel